| |
 |
|
Për një javë rrjesht në qendrën Lindart, në kuadrin e Projekt 5.6, u zhvillua një workshop, nën drejtimin e fotografit zvicerian, profesor i komunikimit pamor dhe fotografisë në shkollën e Artit dhe Dizajnit të Bazelit në Zvicër, Angelo Luedin.
Vizita e parë e tij pas mbrritjes në Shqipëri, ishte në Shkodër në fototekën Marubi. Bashkë me fotografët tanë të njohur Leon Çika, Rudina Memaga e Bevis Fusha, e shoqëruam në atë, që për shumë vizitorë, profesionistë të fotografisë, është një thesar i madh. I mahnitur nga fotot dhe nga historia e fotografisë shqiptare, Angelo, i cili bashkë me gruan e tij Barbara Zürcher, kishte përgatitur edhe një dokumentar mbi një familje fotografësh zviceranë, që u shfaq në mbrëmjen e 25 korrikut, thotë se ndoshta do të kthehet përsëri për të bërë një dokumentar mbi këtë dinasti fotografësh shqiptarë: Marubët.
Në dokumentarin e tyre ‘Trofe të kohëve’, ndjehet respekti që ata kanë për secilin që punon dhe jep një kontribut për kulturën e vendit të tyre. Historia e thjeshtë e tre brezave të një familjeje fotografësh dhe në të njëjtën kohë një pjesë e historisë së fotografisë dhe mediave zvicerane, të bën të mendosh mbi atë që na mungon ne: respekti për punën e të tjerëve. Madje shpesh bëjmë çmos të denigrojmë përpjekjet e të tjerëve për përparim në këto kohë kaq të vështira.
Po realiteti, ndonjëherë i hidhur i yni, nuk e zbeh aspak entusiazmin dhe përpjekjet e grupit të të rinjve, që ndjekin kursin e fotografisë të Projektit 5.6. Me gjithë mungesat e energjisë, vapën përvëluese të këtyre ditëve të fund korrikut, ata janë të preokupuar të përfundojnë projektet e tyre fotografike. Dalngadalë marrin formë fotot që përkthejnë në figurë konceptet abstrakte të pikselit, të kartës grafike, të manipulimit me anë të figurës apo të fjalës, konceptet e funksionimit të diafragmës, e kështu me rradhë. Këta djem e vajza, trajnerët e tyre, që do të mbeten në historinë e fotografisë shqiptare si të parët që themeluan bazat e një shkolle të fotografisë, të bëjnë të shpresosh në këtë realitet shqiptar, për shumë të tjerë pa shpresë e plot paradokse. Duke parë punët e tyre dhe duke bërë krahasim me ditët e para të tyre në kurs, ndjen emocion dhe admirim.
‘Për ne ishte një ndihmë në drejtim të edukimit profesional si fotografë. Sepse detyrat, që shoqëroheshin me teori dhe të qarta nga ana konceptuale, ngjanin me një lojë në praktikë, duke e bërë zbavitëse realizimin e detyrave. Humori dhe gatishmëria në çdo cast i Angelo Luedin të nxiste dhe për të punuar’, thotë Brilanta Kadillari. ‘Është i gatshëm të japë gjithshka nga eksperienca e tij, me shumë dëshirë e pasion’, thotë Petro Tusha. Ledionës, që është edhe studente në juridik, po ka dëshirën e madhe të merret me fotografinë, i ka bërë shumë përshtypje jo vetëm komunikimi i tij me studentët, por edhe intensiteti i punës dhe mënyra e dhënies së njohurive. ‘Kemi përvetësuar koncepte, që do na shërbejë edhe në të ardhmen’, thotë ajo. ‘Për një javë kemi marrë shumë’, thotë Sibel Pipa. ‘E di, na e ka vënë trurin në lëvizje, gjithë ditën jam e preokupuar, kudo që ndodhem mendoj për fotografinë që duhet të bëj’. ‘E kam dashur fotografinë, dhe kursi më ka vlejtur të kuptoj se nuk është thjesht një hobi, po është ndjenjë e përkatësisë në një grup. Angelo pastaj të bën të nxjerrësh më të mirën në pah: edhe kur të kritikon të nxit, duke të bërë që gjithë kohën të mendosh për diçka’, i përgjigjet pyetjes sime Blerta Kambo, që është edhe studente në degën e inxhinieri mjedisit, punon në një radio private, mëson edhe për fotografinë. ‘Të paktën ndjehesh i motivuar’, thotë Abi Shehu. ‘Ashtu mendoj edhe unë’, thotë Eni Dangëllia. ‘Ishte një eksperiencë interesante dhe motivuese. Ndjehesh edhe e përfshirë, gjë që nuk e ndjen në universitet’. Për Mirel Myftarajn mbështetja dhe përkushtimi ndaj studentëve, mënyra e komunikimit e fotografit dhe profesorit zviceran është ajo që e bën ta besosh në ato që thotë. ‘Na mësoi të gjejmë të bukurën te e thjeshta’.
Cila është ajo që e dallon një profesionist nga një amator në fotografi: edhe pse edhe amatori mund të bëjë foto të përsosura, ajo që e dallon nga profesionisti është mungesa e mendimit, mungesa e një koncpeti mbi fotot që bën, u thotë studentëve fotografi Angelo Luedin. Andreas Feininger kur flet për fotografinë thotë se që të jesh një fotograf i mirë, duhet të ndryshosh standartet, sepse koha ndryshon, qëndrimet mënyrat e sjelljes ndryshojnë. Ai thotë se qëllimi i çdo fotografie është komunikim, që do të t hotë kuptim dhe që të bësh fotografi që të kenë kuptim, duhet të ndjekësh një process që kalon në pesë faza: Interesi për subjektin; të njohësh e të kuptosh idenë apo ndjesinë që mbart ai subject; të vlerësosh subjektin; ta shohësh atë në përshtatje me termat e fotografisë dhe në fund vjen realizimi teknik. |
|
|
Programi i Projekt 5.6 po bën pikërisht këtë: me anë të shkëmbimeve me botën dhe trainerëve shqiptarë po përgatit kuadro që nesër do të përballen me fotografinë botërore, sepse dijen e tyre e ngrenë mbi bazën e koncepteve më të përparuara të kohës: komunikimi me anë të koncepteve të qarta, ndjenjën e përfshirjes, të menduarit intensivisht, duke patur si kriter për vlerësimin idetë dhe zbatimin vizual të koncepteve të fotove, postproduksionin, angazhimi dhe menaxhimin e kohës.
Nga ana e tij edhe Angelo Luedin, i cili vjen për herë të parë në Shqipëri, është mjaft i befasuar nga ky grup të rinjsh shqiptarë, me zellin e tyre për të mësuar, me aftësitë e tyre për të komunikuar në disa gjuhë. ‘Kemi një imazh paksa ndryshe për Shqipërinë, prandaj jam pak i befasuar, sepse këta të rinj nuk kanë asgjë ndryshe nga të rinjtë tanë. Do doja shumë të vija përsëri, edhe ndoshta për të bërë diça mbi Marubin tuaj, po edhe për të dhënë përsëri mësim në Projekt 5.6’.
Fotografia shqiptare po përgatitet edhte të krijojë një imazh tjetër të Shqipërisë, duke u kualifikuar të arrijë parametrat e kohës. |
|