| |
 |
|
October 2007
Projekt 5.6 në bazë të programit vjetor, organizoi nga data 27 shtator deri më 5 tetor 2007, workshop-in e dytë, të titulluar: Whats next? mbi fotografinë konceptuale. Workshop-i u organizua dhe u drejtua nga trajnerët zvicerianë Eliane Rutishauser dhe Gian Vaitl.
Jemi mësuar të shohim tashëm ekranet e mëdha të bareve tona, ku tifozët ndjekin ndeshjet e futbollit, një prej sporteve më të pëlqyera.
Po këtë të shtunë në mbrëmje te bar Capricio, mu në zemër të asaj pjese aq të pëlqyer të Tiranës, edhe pse emri lidhet me dicka të trishtë, te Blloku, ekrani i është lënë një shfaqjeje ndryshe: do të projektohen fotografi të realizuara nga një grup të rinjsh, të cilët prej dy javësh punuan me dy fotografë zvicerianë nga Zyrihu. Fotografia mon amour! E quajtëm ne prezantimin e punimeve që studentët realizuan gjatë workshop-it me Eliane Rutishauser dhe Gian Vailt.
Prej më se katër muajsh këta të rinj punojnë pranë ‘Projekt 5.6’, si quhet tashmë programi i organizuar nga qendra Lindart, me fotografë shqiptarë të njohur si Leon Cika, Bevis Fusha, Ermal Koci, fotografët zvicerianë Angelo Luedin, Eliane Rutishauser, Gian Vaitl dhe me dizajnerët profesionistë Rudina Memaga e Denis Koci për t’u përgatitur si fotografë bashkëkohorë, të aftë të ballafaqohen me fotografinë ndërkombëtare në të gjitha fushat: modë, art, gazetari, reklamë, portret, pejzazh.
Fotografia, ashtu si artet e tjera - sepse është pjesë e arteve prej kohësh - është një mjet i dashur edhe për ata që e përdorin thjesht për të fiksuar pamje për albumin e familjes. Po ajo është gjithnjë e më shumë pjesë e pandarë e e punës sonë në të gjitha drejtimet. Edhe pse e shohim në posterat, apo në lajmërimet e ndryshme, ende nuk jemi mësuar të ulemi në një bar e të shijojmë një projektim fotografishë bashkë me pijet apo diçka tjetër të shijshme që tanimë është e lehtë t’i gjesh në baret tona. Fotografitë që do të prezantohen janë një vështrim ndryshe i njerëzve dhe ambienteve që i shohim, po jo gjithnjë i njohim, janë një vështrim konceptual i realitetit tone: një ide e kthyer në makinë që prodhon art, si thoshte Sol Le Wit, artisti i madh bashkëkohor amerikan. Abi, Sibel, Fiorela, Blerta, Brilanta, Mirel, Admir, Lediona: Capricio e priti me dashamirësi propozimin tonë për t’i kushtuar një mbrëmje fotografive të këtij grupi të rinjsh fotografë, edhe për kënaqësinë e klientëve të ulur në ambientet aq të këndshme të bar Capricios.
Fotografia, mon amour. Të gjithë e ndjejmë brënda nesh, po ende nuk e dimë! |
|